Hëna është mbresëlënëse. Shiheni Hënën e plotë, kur qielli është I kthjellët në mes të natës, e do të mbusheni brenda vetes me ndjenja magjike, intensive e të mahnitshme. Ajo ka një joshje të fuqishme e është plot me bukuri. Në kultura të ndryshme për Hënën ka plot legjenda, mite dhe romanca.
Çdokush ka interes për Hënën apo fazat e saj. Hëna ka zënë gjithmonë një vend të veçantë në jetën tonë, duke nxitur imagjinatën e duke zgjeruar kufijtë e perfytyrimit njerëzor. Jo rrallë, ajo i jep kuptim botës së ndjenjave me gjithë veçoritë e kompleksitetin e tyre.
Perëndesha e Hënës te grekët e lashtë ishte Selena. Ajo njihet dhe për aventurat e saj të panumërta në dashuri. Selena përshkruhet si një grua e re me fytyrë shumë të bardhë, që udhëton me një karrocë argjendi të tërhequr nga dy kuaj. Shpesh paraqitet e hipur mbi kalë apo mbi dem. Sipas mitit Selena, para udhëtimittë saj të natës në qiell, lahet në det. Selena është një figurë shumë e preferuar e poetëve të dashurisë.
Hëna është një nga satelitët e planeteve të sistemit tonë diellor dhe i vetmi satelit natyral i planetit Tokë. Dielli ndriçon gjithmonë gjysmën e Hënës që ka përballë tij, përveçse gjatë eklipseve hënore, kur Hëna është duke kaluar nën hijen e Tokës. Kur Dielli dhe Hëna janë në anët e kundërta të Tokës, Hëna, nga Toka, duket e shndritshme, si disk i rrumbullakët dhe ne e emërtojmë Hëna e plotë. Kur Hëna është në mes të Tokës dhe Diellit, ajo, për ne duket e errët dhe ne e kemi quajtur Hëna e re.